Lajme

Bislimi për dialogun Kosovë–Serbi: Situata ka ndryshuar, jemi më larg njëra-tjetrës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi


Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian dhe dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se procesi i bisedimeve me Serbinë dallon shumë nga koha kur ka filluar sepse tash Kosova dhe shteti serb janë më larg njëra-tjetrës.

Këtë deklaratë, Bislimi e dha në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentarë të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektiva e ardhshme” që po mbahet në Prishtinë.

Njëra ndër arsyet se pse dialogu nuk ka pasur rezultate sipas Bislimit është se në vitin 2011 Serbia nuk ka pasur pretendime për ndryshim kufijsh e as baza ushtarake në kufi me Kosovën.

“Sipas meje në vitin 2022 Kosova dhe Serbia nuk janë më afër sesa që ishin në vitin 2011 por janë shumë më larg njëra-tjetrës nga koha kur filloi dialogu. Në vitin 2011 Serbia kurrë nuk do të ngriste tema në lidhje me kufijtë kurse tani nevojitej vetëm një vendim për të zbatuar marrëveshjen kur Serbia e ngriti çështjen e kufijve. Në vitin 2011 Serbia nuk i kishte 48 baza policore përgjatë kufirit me Kosovën, sot i kanë ato, dhe janë vetëm një kilometër larg kufirit me Kosovën”, tha Bislimi.

Tutje në fjalën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, thuhet se palët e përfshira në dialog, në të kaluarën kanë punuar më shumë në nënshkrimin e marrëveshjeve sesa në zbatimin e tyre.

“Të gjitha përpjekjet e palëve në BE kanë qenë deri te nënshkrimi i marrëveshjes, sepse nënshkrimi bëhej lajm, mund të dilnit para mediave dhe mund të pretendonit mirënjohje duke thënë se ‘falë vizionit tim dhe angazhimit tim arritëm marrëveshje’, por pas saj askush nuk ishte i interesuar se çfarë po ndodhë në terren”, tha Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, Serbia po fshihet prapa pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe se procesi i njohjes është ndërlidhur çdo herë me procesin e dialogut./SHQIP.com

/Shqip.com