Lajme

Bislimi: Nuk do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përcjell Shqip.com.

Këtë e ka bërë të ditur Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi.

Ndryshe, takimi i sotëm u mbajt pavarësisht se një ditë më herët, të martën, palët thanë se nuk kanë arritur pajtim për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Kurse, të martën, delegacioni i Kosovës, në krye me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ka diskutuar me BE-në lidhur me temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi së fundmi, shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, nuk u lejua të hyjë në Kosovë.

Sipas Bislimit, Kosova nuk dëshiron që sërish të diskutohet për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por që do vetëm të diskutohet zbatimi i tyre.

Për marrëveshjet e arritura më herët, siç është edhe ajo për target e veturave, të cilës i skadon së shpejti afati, Bislimi ka paralajmëruar se Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Ndërkaq, delegacioni i Serbisë ka insistuar që të diskutohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por edhe Marrëveshja për drejtësi, për vizitat zyrtare dhe çështjen e të zhdukurve.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare ka thënë nuk dëshiron që të takohet me të.

Takimi i fundit në nivelin e lartë mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve./Shqip.com