Lajme

Bislimi mbron ambasadorin Berishaj dhe Nagip Krasniqin, akuzon Prokurorinë

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog Besnik Bislimi, ia ka lënë të gjitha meritat qeverisë së tanishme për procesin e liberalizimit të vizave.

Në raportimin në Komisionin për Integrim Evropian ai tha se kanë punuar ditë e natë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Gjatë dy majve të fundit kemi pasur bashkëpunim me Këshillin dhe Parlamentin për të mos u vonuar procedurat, pas gjithë këtij koordinimi jemi ftuar për të nënshkruar rregullore, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare. Falënderojë të gjithë ata që punua ditë e natë që kjo të arrihet. Në Bruksel ka pajtim të gjerë që Raporti i fundit është pozitiv. Raportet e 3 viteve paraprake kanë cekur ndikim politik në shumë institucione, ndërsa në raportin e viti 2022 nuk përmendet kjo fjalë, ky është përkushtim. Shumë reforma që kishin mbetur të harruar i kemi marrë me shumë seriozitet, p.sh. rregullorja e Kuvendit të Kosovës. Miratuam Ligjin për pagat dhe Shërbyesit Civil.  Janë zbatuar 136 masa, prej tyre 50 legjislative. 21 nga 44 ligjet i kemi dorëzuar në Kuvend”, ka deklaruar Bislimi.

Në këtë raportim kryetarja e Komisionit që vjen nga opozita, Rrezarta Krasniqi, ia ka përmendur Bislimit raportin e DASh-it, rastin e Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit.

“Po ashtu e dini shumë mirë se rasti i Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor ndaj tij. Është e turpshme se si zvarritet një intelektual i shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxirret ndonjë përfitim politik. Të gjitha janë spekulime dhe dokumentuar qartë, por ju mund të vendoni nëse mendoni se ua sjell ndonjë poen politik”, tha Bislimi.

Mbrojtje i bëri edhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, duke thënë se ndërmarrjes i ka sjellë miliona fitime falë angazhimit të tij.

“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK dhe rastet korruptive menaxhmenti aktual i ka deponuar në Prokurori. Por ja që s’ka interes politik të një institucioni që unë do të thoja është politik, siç është Prokuroria që të merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit i cili nga një kompani që ka punuar me humbje, e ka sjellë kompaninë me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet. Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë nga këta të mos përfundojë në xhepat e politikanëve. Ky është problem i madh, andaj duhet të arrestohet që të vijë dikush tjetër pas tij i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit”, shtoi zëvendëskryeministri.

Ai tha se paratë e fituara nga KEK-u do të shkonin në buxhetin e shtetit dhe jo “në jahta luksoze të politikanëve”. Kjo, sipas tij, është arsyeja e vetme e arrestimit të Krasniqit.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022.

/Shqip.com