Lajme

Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare në Jarinje.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi tha se kriza e djeshme në Jarinje ka autor edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.

“Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm. Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës”, shkroi Bislimi.

Bislimi tha se ky akt u parandalua nga institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtar.

“Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët). Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte. Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në”.

Gjatë ditës së djeshme disa serbë nga Mali i Zi, dhe Serbia kanë tentuar që të hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje, por që janë penguar nga policia serbe.

Në protestë ka pasur një përplasje në mes policisë dhe serbëve derisa ata janë penguar nga kordoni i dytë i tyre.

Në mesin e këtyre personave ka qenë edhe udhëheqësi i “Ljubav, Vera Nada”, Nemanja Saroviç, si dhe Damjan Knezeviç, kreu i Patrullave të Popullit.

Njëri nga serbët që ishte mysafir i grupit të mercenarëve në Rusi, thuhet se është organizatori i grumbullimit të serbëve në veri të Kosovës.

Në një postim të IstragaB, dëgjohet zëri i Damnjan Knezheviqit duke thënë se duhet të shihet se sa njerëz janë gati të shkojnë në Jarinje.

/Shqip.com