Lajme

Bislimi fajëson Brukselin për moszbatimin e marrëveshjes së energjisë në veri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Brukselin për moszbatimin e Marrëveshjes për Energjinë në komunat veriore të vendit.

Ai ka thënë se ndaj kësaj kompanie janë dërguar sinjale të gabueshme, derisa kompania serbe është akuzuar për falsifikim të dokumenteve.

“S’është përmbushur pika e kontratës kornizë mes KEDS-it dhe Elektroseverit, poashtu nuk është përmbushur as pika pesë e marrëveshjes, e cila kërkon që KEDS dhe KOSTT të kenë qasje të vazhdueshme dhe të përhershme në stacionin në Vallaq. Arsyeja pse nuk është finalizuar kjo marrëveshje, qëndron në rezistencën e Elektroseverit që të nënshkruaj marrëveshjen sipas udhërrëfyesit. Ata insistojnë në respektimin e njëfarë marrëveshje që ata e kanë arritur me KEDS-in në Stamboll, e cila nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit. Po ashtu nuk janë përmbushur obligimet e Bashkimit Evropian. Unë mendoj se një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e deritanishëm e ka vetë Brukseli apo ndërmjetësuesit në Bruksel, të cilët jo vetëm që e kanë toleruar takimin apo e kanë lejuar takimin në Stamboll, por poashtu kanë dërguar sinjale të gabueshme tek Elektroseveri përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve, të cilat nuk kanë lidhje me udhërrëfyesin”, ka deklaruar Bislimi.

Më 9 gusht, Bashkimi Evropian e pranoi se ka vonesa në zbatimin e Udhërrëfyesit, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e saj “mbetet në duart e palëve”.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave që  i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Lexo edhe:
BE: KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për rrymën në veri

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Lexo edhe:
ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në veri shkon deri në 12 milionë euro në vit.

/Shqip.com