Lajme

Bislimi: Duhet reagim më vendimtar nga ana e BE-së në dënimin e sulmit në Banjskë të Zveçanit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se në 2024, duhet të ketë një reagim më vendimtar nga ana e Bashkimit Evropian në dënimin e agresionit në Banjskë.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e kujdesshme dhe vigjilente, gjithmonë e përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, e zbatimin e marrëveshjeve reciprokisht, në mënyrë të drejtë, të balancuar e të barabartë.

Bislimi ka theksuar se pas këmbënguljes së palës kosovare, targat dhe energjia ishin dy nga çështjet që u adresuan dhe ecën drejt epilogut.

“Pas më shumë se 20 vitesh rryma do të paguhet në veri, e pas më shumë se 10 vitesh Serbia njoftoi se do t’i njohë targat RKS”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai më tej ka përmendur edhe raportin për vendin nga Komisioni Evropian, ku sipas tij u theksua ulja e ndjeshme e nivelit të papunësisë nga 19% në 11.8%.

“E rritja ekonomike, vazhdoi me ritme pozitive në rreth 3.8%, më e larta në Ballkanin Perëndimor, konstatuar dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore. Me Bashkimin Evropian, nënshkruam marrëveshje financiare nga programet IPA, e ku me IPA 2023, u mundësua ndihma financiare për vendin në shumën mbi 75 milionë euro, për përballjen me krizën energjetike”, ka shkruar më tej ai.

Bislimi shkroi se janë zhvilluar fushata të frikësimit ndaj qytetarëve, janë sulmuar institucionet, KFOR-i e gazetarët.

“Qasja e fqinjit tonë verior, u bë dhe më agresive këtë vit, kur zhvilluan fushata të frikësimit ndaj qytetarëve për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit, sulmuan institucionet tona në veri, KFOR-in dhe gazetarët përmes grupimeve kriminale, rrëmbyen tre zyrtarë tanë policorë brenda territorit të Republikës sonë dhe organizuan një akt agresioni e ushtarak, me qëllim aneksimin e veriut e destabilizimin e rajonit ku vranë dhe rreshterin e heroin Afrim Bunjaku”, ka shkruar Bislimi.

/Shqip.com