Lajme

Bislimi: Drafti franko-gjerman është i afërt me qëndrimin e Serbisë

Besnik Bislimi

Në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Beograd, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se propozimi franko-gjerman në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, është më afër qëndrimit të Serbisë.

Bislimit këto deklarata i bëri në fjalimin e tij online, duke shtuar se Kosova është për një marrëveshje përfundimtare, por vetëm me njohje reciproke.

“Nga kjo perspektivë, propozimi franko-gjerman është shumë më afër qëndrimit të Serbisë, sepse nuk paraqet marrëveshje përfundimtare dhe nuk përmban njohje reciproke në këtë fazë”, tha Bislimi.

Por njohja reciproke nuk është e rëndësishme edhe për Serbinë sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Bislimi theksoi se janë pajtuar që nuk është momenti që të zbulohet dokumenti dhe se kjo bëhet në marrëveshje nga dyja palët që janë pjesë e dialogut.

Duke folur për vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës rreth shtyrjes së afatit për targa, Bislimi thotë se kanë vendosur që të mos fillojnë menjëherë me dënime drastike dhe se janë ndalur vetëm në paralajmërime deri më 21 nëntor.

“Qytetarët që kanë targa të paligjshme do të marrin paralajmërime për ndërrimin e tyre sa më shpejt. Pas kësaj, policia do të duhet t’u shqiptojë gjoba, në përputhje me ligjin, të cilat do të arrijnë në rreth 150 euro. Nga janari i vitit 2023 qytetarët do të marrin targa të përkohshme në këmbim të vjetrave dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë pa asnjë incident deri më 21 prill”, tha ai.

Kujtojmë se zëvendëskryeministrit Bislimi dje iu mohua e drejta që të merrte pjesë edhe fizikisht në Forumin e Sigurisë sepse autoritetet serbe nuk ishtin të gatshme të ofrojnë siguri.

Ndërsa ambasadori Hill theksoi se do të dëshironte që Bislimi të ishte atje, por duke thënë se negociatori serb, Petar Petkoviq, ka hasur në të njëjtin problem kur u përpoq të shkonte në Kosovë.

/Shqip.com