Lajme

Bislimi do të takohet me Lajçakun në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ndodhet në Bruksel ku do të zhvillojë takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Burimet diplomatike të REL thonë se qëllimi i këtij takimi është normalizimi i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe propozimet për tejkalimin e situatës së tensionuar në Kosovë.

Tensionet në mes Kosovës dhe Serbisë morën hov me vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Qeveria e Kosovës po kërkon riregjistrimin e makinave që tani janë me targa ilegale në ato RKS.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe në masë të madhe kontrollohet nga Beogradi.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës duke kërkuar kështu shfuqizimin e këtij vendimi si dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Zyrtarët në BE paralajmëruan takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, por, tash për tash, thanë se nuk pritet ndonjë takim Bislimi-Petkoviq.

Një ditë më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia, urgjentisht, duhet të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve.

/Shqip.com