Bislimi-deputetëve: Petkoviqit i kam thënë se në Kosovë s’ka arkiva të UÇK-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar të martën se në takim me palën serbe në Bruksel, janë pajtuar për hapjen e arkivave shtetërore të Kosovës.
Por, ka thënë se drejtorit të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ia ka bërë me dije se në Kosovë nuk ka arkiva të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas kërkesës sime që në Beograd të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, Petkoviqi ka nxjerr kërkesën që të hapen arkivat e UÇK-së, duke u bazuar në fusnotën e një veprimtari, por ne kemi deklaruar se në Kosovë nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore”.
“Nga ana jonë nuk ka asgjë komprometuese. Në asnjë rast dhe rrethanë nuk është dakorduar për arkivat e UÇK-së, për të cilat nuk ka dëshmi se ekzistojnë”, ka deklaruar Bislimi, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.
Më tej, ka theksuar se vendimtare për gjetjen e personave të zhdukur është hapja e arkivave shtetërore të Serbisë./SHQIP.com