Lajme

Bislimi: Borrell ndryshoi letrat që na dërgoi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka treguar se si Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka kërkuar që vendimet për shtyrjen e reciprocitetit në dokumente me Serbinë të shtyheshin.

Bislimi thotë  se Kosova i është përgjigjur letrës së Josep Borrell duke ia sqaruar se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës, ka ekzistuar, dhe ku pothuajse çdo qytetar është informuar për masën.

“I treguam Borrellit se mund ta diskutojmë pastaj mundësinë e shtyrjes edhe për një muaj që të akomodohet kjo brengë e tij, ndërkaq për dokumentin hyrje/dalje kemi treguar që në fakt nuk kemi nevojë për fushatë informuese meqë kjo masë nuk u vendoset qytetarëve të Kosovës, por u vendoset qytetarëve të Serbisë që futen në Kosovë dhe nuk ka nevojë për kurrfarë masa përgatitore nga këta qytetarë, meqë ata nuk duhet të tregojnë diçka apo të japin diçka për dorëzim, por marrin dokument, që do të thotë serbet e veriut nuk preken nga ky vendim”, ka thënë Bislimi.

Më tutje Bislimi është shprehur se Borrell ka ndryshuar letrat të cilat i ka dërguar.

“Për informim të plotë, Borrell  ka dërguar një shkresë në mëngjes pak para nisjes së tij për në Kamboxhia, por ne kemi thënë që kjo shkresë që dërgohet përmes mjeteve të komunikimit jo zyrtare, duhet të zyrtarizohet, pra duhet të vijë në mënyrë zyrtare.Por pastaj kemi vërejtur diçka të çuditshme. Ka pasur dallime të mëdha mes formulimeve në shkresën e parë (jo zyrtare) dhe letrës zyrtare që e ka dërguar zoti Borrell”, thotë Bislimi.

Bislimi thotë se nga ky komunikim, nuk pasur më kontakte me Brukselin, përveç takimit që ka pasur kryeministri Kurti me Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë./Shqip.com