Bislimi: Besojmë që Kosovën do ta mbështesin të gjitha vendet anëtare të KE-së

“Kosova ka bërë një hap përpara me dorëzimin e aplikimit në Këshillin e Evropës” – kështu ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në hapjen e mbledhjes së sotme të Qeverisë.
Bislimi përmendi edhe benefitet e Kosovës nga anëtarësimi në këtë organizatë, gjë që sipas tij, do të ndikojë për mirë edhe në gjyqësorin e vendit.
“Pas anëtarësimit, qytetarët tanë do ta kenë edhe një instancë evropiane për t’i adresuar çështjet e tyre. Kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe do të ketë në mënyrë të drejtpërdrejt ndikim në funksionimin e gjyqësorit në vend. Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë në një moment shumë pozitivë dhe të koordinuar me miqtë dhe partnerët e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa theksoi se “Qeveria do të punojë me përkushtim hap pas hapi” në këtë proces.
Ai tha se beson në mbështetjen e shteteve anëtare të KE-së.
“Besojmë fuqishëm që të gjitha shtetet anëtare të KE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin tonë dhe do ta mbështesin këtë rrugëtim”.
Ndërsa, për shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ,thotë se “do ta dëshmojnë se nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtimi të shtetit tonë”./Shqip.com