Lajme

Bild: Kosova ka bërë hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Twitter, ai ka thënë se kjo lëvizje do të ndikojë që të ecet tutje në dialogun Kosovë-Serbi.

“U deshtë pak kohë, por tani duket se ka një lëvizje të re në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Hap pas hapi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bildt.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier ka folur edhe njëherë për marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara inkurajohen dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka shkruar Hovenier.

Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur i lumtur me faktin se Kosova e ka pranuar propozimin e BE-së.

Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

/Shqip.com