Lajme

BIK-u kërkon futjen e edukatës fetare në shkollat e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar futjen e edukatës fetare nëpër shkollat e Kosovës, pas rastit të vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, njofton Shqip.com.

Përmes një komunikate, BIK ka kërkuar që të merren masat e duhura ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, teksa për këtë çështje është mbajtur një ligjëratë sot në të gjitha xhamitë pas faljes së xhumasë.

“E kemi thënë sa e sa herë dhe do ta përsërisim se zgjidhja më e mirë është edukimi fetar. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë edukimin fetar. Çdo vonim në aprovimin e edukimit fetar në shkolla është me pasoja. Ndaj, le të jetë kjo një thirrje për institucionet tona qeverisëse që ta marrin në konsideratë futjen e edukatës fetare në shkolla, ashtu siç veprojnë një numër i madh i shteteve në perëndim. Le të jetë ky një mesazh i yni kundër këtyre dukurive negative që po prekin fëmijët tanë!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e BIK-ut.

Sipas BIK-ut, rol të madh në edukimin e fëmijëve kanë edhe prijësit fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, që me këshillat e tyre mund të asistojnë shumë në ruajtjen e karakterit dhe personalitetit të fëmijëve.

“Fakti se kohëve të fundit janë shfaqur kaq shumë dukuri negative në mesin e fëmijëve tanë, duhet të na alarmojë të gjithëve, dhe të na vë në lëvizje për të gjetur zgjidhjet më të mira për këto dhe probleme të ngjashme që për bazë kanë edukimin. Prindërit, duhet të jenë në vijën e parë të frontit dhe për asnjë moment të mos ndalen së punuari me fëmijët e tyre, derisa shteti duhet të ndërtojë politika arsimore-edukative që në fokus kanë jo vetëm arsimimin, por mbi të gjitha edukimin e fëmijëve. E patjetër këtu një rol ta pazëvendësueshëm kanë prijësit fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, që me këshillat e tyre mund të asistojnë shumë në ruajtjen e karakterit dhe personalitetit të fëmijëve në secilën etapë të zhvillimit të tyre”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Shqip.com