Lajme

BIK kërkon nga Kurti dhe Nagavci anulimin e nenit që ndalon bartjen e shamive në shkolla

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të largohet pika 1.13 e nenit 3 në udhëzimin administrative ngase sipas tij është diskriminues.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Bashkësisë Islame të Kosovës, thuhet se në bazë të këtij neni ju mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesë.

“Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

BIK-u kërkon nga organet kompetente, MASHTI dhe nga kryeministri Albin Kurti që sa më parë të anulohet ky vendim.

“Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë”.

Tutje, ata thanë që kjo kërkesë e tyre nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale.

Ilustrim

Ndalimi i bartjes së uniformave fetare në shkolla publike është një çështje që kohëve të fundit ka hapur shumë diskutime.

Udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e uniformave fetare në shkolla publike është miratuar në vitin 2014.

Meqenëse ky udhëzim është ende në fuqi, juristi dhe ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka dërguar një kërkesë drejt Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ka kërkuar anulimin e nenit të udhëzimit që ndalon bartjen e shamive.

“Para dy ditëve i kam dërguar ministres së Arsimit znj. Arbërie Nagavci kërkesën për anulimin formal të nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014. Ajo dispozitë e cila në vitet e fundit ka shkaktuar shpesh debat e përplasje publike, është dispozitë juridike absolutisht e pavlefshme, sepse liritë dhe të drejtat themelore nuk mund të kufizohen me akt nënligjor, por vetëm me ligj parlamentar. Por edhe ai kufizim nuk guxon të prekë esencën e lirisë dhe të drejtës themelore të garantuar”, tha Berisha për Shqip.com.

Në kërkesën e tij thuhet se ky nen paraqet shkelje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, për këtë arsye sipas tij, një akt i paligjshëm duhet të anulohet që të kthehet ligjshmëria në vend.

Ai thotë që sipas ligjit, ministria ka afat 45 ditë për të shqyrtuar kërkesën./Shqip.com