Lajme

Bie niveli i ujit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit, Kru “Prishtina” apelon qytetarët që të shfrytëzojnë drejtë ujin e pijshëm

Liqeni i Badovcit

Për shkak të kërkesave të larta për ujë të pijshëm, niveli i ujit të Liqenit të Batllavës dhe Badovcit ka rënë dukshëm.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, Kru “Prishtina” ka njoftuar se uji në këto liqenë është nën kuotën maksimale të kapërderdhjes.

“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 1.52 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 7.90 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes . Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftim.

Kru “Prishtina”, thotë se janë duke e bërë shpërndarjen e ujit në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët.

Ndërsa, bëjnë apel tek qytetarët që të shpenzojnë ujin e pijshëm për nevoja shtëpiake dhe assesi për gjëra tjera të paarsyeshme./Shqip.com