Lajme Botë

Biden: NATO-ja më e fortë se kurrë më parë

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai polak, Andrzej Duda. Varshavë, 21 shkurt 2023. Foto: Reuters
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai polak, Andrzej Duda. Varshavë, 21 shkurt 2023. Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Joe Biden, riafirmoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane gjatë takimit në Varshavë me homologun e tij polak, Andrzej Duda.

Vizita e Bidenit në Varshavë është pjesë e një serie të konsultimeve me aleatët për t’u përgatitur për një fazë më të ndërlikuar të pushtimit rus të Ukrainës, që ka nisur pothuajse një vit më parë.

Duhet të kemi siguri në Evropë”, tha Biden gjatë takimit me presidentin polak. “Është kaq bazike, kaq e thjeshtë, kaq e rëndishsme”.

Biden tha se NATO është “ndoshta aleanca më e rëndësishme në histori”, duke shtuar se ajo është “më e fortë se kurrë më parë” pavarësisht shpresave të presidentit rus, Vladimir Putin, se aleanca ushtarake perëndimore do të ndahej pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Po ashtu, presidenti amerikan tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën vazhdon të jetë e fortë.

Siç i thash presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kur fola me të në Kiev dje, mund të them se mbështetja jonë për Ukrainën vazhdon të jetë e palëkundur”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.

Ndërkaq, presidenti polak tha se vizita e Bidenit në Poloni është një sinjal i rëndësishëm për përkushtimin e SHBA-së që të mbajë sigurinë në Evropë.

Vizita juaj është një sinjal i rëndësishëm i sigurisë, një sinjal i përgjegjësisë së SHBA-së për sigurinë e botës dhe Evropës. Amerika mund ta mbajë rregullin botëror”, tha Duda gjatë takimit dypalësh me Bidenin.

Vizita e Bidenit në Varshavë vjen pasi ai një ditë më parë vizitoi Kievin, ku qëndroi mbi pesë orë.

Vizita e paparalajmëruar në Ukrainë – e para prej se Rusia nisi pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë – nënvizoi edhe një herë bështetjen e Uashingtonit për Kievin.

Biden u takua më 20 shkurt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Mariyinskiy në qendër të kryeqytetit ukrainas.

Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë“, tha Biden, duke folur nga një podium i dekoruar me flamuj të SHBA-së dhe Ukrainës.

Dhe, Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”.

Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju“, tha ai.

Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore, në vlerë prej 500 milionë dollarësh. Biden paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër shtetit rus.

SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh. /REL

/Shqip.com