Biden kritikon liderët e Kinës dhe Rusisë për mungesën në samitin për klimë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka kritikuar liderët e Kinës dhe Rusisë për mosparaqitjen në samitin për klimë COP26, transmeton Shqip.com.
Në fjalimin e tij të martën në mbrëmje, Biden tha se klima është “një çështje gjigante” dhe se Kina është larguar, ndërsa ka shtuar se të njëjtën gjë ka bërë edhe Rusia e Vladimir Putini, raporton ‘BBC’.
“Fakti që Kina po përpiqet të pretendojë, kuptohet, një rol të ri në botë si një lider botëror – duke mos u paraqitur, të lutem…”, tha Biden, duke shtuar se mungesa e Xi Jinping ishte një “gabim i madh”.
Në samit munguan presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe lideri i Kinës, Xi Jinping.
Mirëpo, të dy shtetet kanë dërguar delegacione për të biseduar në COP26.
Kina është emetuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, pasuar nga SHBA-ja. Rusia është e pesta, pas BE-së dhe Indisë.
Më tepër se 120 liderë janë paraqitur në konferencë në Glasgow të Skocisë. /Shqip.com