Lajme

Biden: Kosova ka vend të veçantë në zemrën time, mbështes përpjekjet për marrëveshjen finale me Serbinë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka uruar popullin e Kosovës për Ditën e Pavarësisë, duke thënë se vazhdon të mbështesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë të përqednruar në njohje reciproke.

Në letrën e presidentit amerikan, që e publikoi presidentja Osmani, përmenden edhe të arriturat e vendit duke thënë se Kosova është shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të konsoliduar.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden.

“E përshëndes përkushtimin tuaj për punën e vazhdueshme dhe jetike për forcimin e institucioneve të Kosovës dhe për t’u siguruar që demokracia e Kosovës sjellë rezultate për të gjithë qytetarët e vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës përderisa ju përpiqeni ta luftoni korrupsionin dhe ta forconi sundimin e ligjit, të mbroni të drejtat e pakicave fetare dhe etnike, të nxisni një rritje ekonomike të drejtë dhe transparente dhe të siguroni një të ardhme të qëndrueshme energjetike”, vijoi Biden.

Letra e presidentit të SHBA-së, Joe Biden

Presidenti Biden shkroi se vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare.

Ai përmendi edhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të përballuar pandeminë COVID.

“Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli i Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij. Ndërsa përballemi së bashku me pandeminë COVID-19, jam i kënaqur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ofrojnë këtë muaj edhe gjysmë milioni doza të sigurta e efektive të vaksinës COVID-19 për të mbrojtur dhe ndihmuar Kosovën në ringritje nga pandemia”, tha Biden.

Biden nuk la pa përmendur edhe faktin se Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e tij.

“Siç e dini, Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden. Ju falënderoj përsëri për nderimin e madh që i bëtë djalit tim Beau kur i dhatë atij post-mortem medaljen presidenciale për sundimin e ligjit vitin e kaluar”, shkroi Biden.

Në fund, Biden tha se “mezi pres të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të thelluar partneritetin në mes vendeve tona dhe për ta jetësuar të ardhmen e Kosovës si një demokraci dinamike, sovrane, e multietnike, duke zënë vendin e merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike”.

“Ju uroj juve dhe gjithë popullit të Kosovës një festë të shëndetshme dhe të gëzueshme ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj!”, përfundon urimi i Biden./Shqip.com