Biden i gatshëm të takojë republikanët për ndihmën për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se është i gatshëm të takohet më kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson për të diskutuar mbi paketën e ndihmës për Ukrainën për të përballuar agresionin rus, duke shtuar se republikanët po gabohen që po kundërshtojnë paketën e ndihmës.
Senati, përmes një votimi ndërpartiak, më herët gjatë këtij muaji, miratoi projektligjin për një paketë ndihme prej 95 miliardë dollarësh që përfshin fondet për Ukrainën, por zoti Johnson deri tani ka refuzuar ta hedhë atë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët me një epërsi 219-212. Zoti Johnson ka kërkuar një takim me Presidentin Biden.
“Do ta takoj me kënaqësi, në ka diçka për të thënë”, u shpreh zoti Biden.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, pasi u kthye nga fundjava në Dellauer, Presidenti Biden tha se republikanët po bënin një gabim të madh duke kundërshtuar ndihmën që Ukrainës i nevojitet për të përballuar agresionin rus.
Anëtarët e Kongresit nuk pritet të kthehen në Uashington deri në 28 shkurt, ditë kur Kongresi përballet me një afat urgjent për të shmangur një mbyllje të pjesshme të qeverisë, që do të niste në 1 mars, nëse nuk veprojnë ligjvënësit.
Disa ligjvënës kanë diskutuar për paketa të tjera alternative apo rrugë të tjera për të kapërcyer kundërshtitë e zotit Johnson, por edhe këto alternativa mbartin pasiguri.
Presidenti Biden, ka qenë mjaft kritik ndaj ish presidentit Donald Trump, që ka të ngjarë të jetë rivali i tij në zgjedhje, si dhe republikanëve të tjerë, lidhur me paralajmërimet për të mos mbrojtur aleatët e NATO-s nëse ata nuk kontribuojnë mjaftueshëm mbi shpenzimet për mbrojtjen. Zoti Biden tha se republikanët po bëjnë një gabim të madh “duke u larguar nga NATO dhe duke mos u përballur me kërcënimin që paraqet Rusia”.
“Është tronditëse. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, tha zoti Biden.
Presidenti Biden tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë vendosjen e sanksioneve të tjera ndaj Rusisë pas vdekjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny.
“Ne kemi vënë sanksione, por po shqyrtojmë mundësinë e shtimit të sanksioneve”, tha ai.
Presidenti Biden, të premten, fajësoi Presidentin rus Vladimir Putin për vdekjen e udhëheqësit të opozitës dhe paralajmëroi për pasoja. /VOA
/Shqip.com