Kulturë

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ekspozon krijimtarinë e Ali Podrimjes

Pjesë e ekspozitës kushtuar Ali Podrimjes, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ka hapur ekspozitë në nderim të poetit kosovar Ali Podrimja.

Në kuadër të “Tetorit të Librit”, të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, si dhe të “Vitit Ali Podrimja”, shpallur këtë fillim viti, ekspozita e hapur u kurua nga Etleva Domi.

“Në vitin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, nëpërmjet një ekspozite modeste, sjell sot, në vëmendje të publikut, për herë të parë, të gjithë krijimtarinë e jashtëzakonshme të Podrimjes, prej botimeve të para e deri në botimet më të fundit të veprave të tij”, ka thënë ajo.

Foto nga hapja e ekspozitës kushtuar Ali Podrimjes

Sipas saj, ekspozita paraqet rrugëtimin e krijimtarisë letrare të tij, që nis në vitin 1961 me botimin “Thirrje”, për të vijuar më pas me botime të shumta, ku Podrimja paraqitet në role të ndryshme, herë si autor poezish, esesh, prozash, herë si përgatitës veprash të ndryshme, si edhe jo pak herë edhe si redaktor.

Po ashtu ajo tha se kjo ekspozitë vjen jo vetëm për të nderuar e kujtuar veprimtarinë letrare të poetit Ali Podrimja, por edhe për të sjellë në qendër të vëmendjes poezinë, botën magjike të fjalës.

/Shqip.com