Lajme

Betimi i kryetarëve në Veri, paralajmëron situatë të tensionuar  

Foto ilustruese
Mitrovica e Veriut

Erden Atiq të premten pritet të japë betimin si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Të njëjtën procedurë duhet ta kryejnë edhe kryetarët e tre komunave tjera në Veri.

Për këtë afat kanë deri më 28 maj. Mirëpo, procedura e betimit po shihet si mundësi për përshkallëzim të situatës.

Sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, me rastin e betimit të kryetarëve të rinj “pritet situatë e tensionuar”.

Ndërsa, ambasadori i SHBA-së ka thënë që kryetarët e rinj të kenë “rol teknik dhe jo politik”, derisa kërkoi nga ta që të hyjnë vetëm në ndërtesa ku mirëpriten.

Që nga vendimi i Listës Serbe për mospjesëmarrje, procesi zgjedhor në Veri është parë me skepticizëm. Kjo për shkak që qytetarët serbë, që janë shumicë në atë pjesë, ndikohen nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar. Kjo bëri që dalja në zgjedhje të jetë tejet e ulët.

Pavarësisht kësaj, rezultatet u certifikuan më 28 prill nga KQZ, duke u vendosur kështu 28 maji si afati i fundit për të dhënë betimin. Nëse deri në këtë datë kryetarët e rinj nuk betohen, e humbin mandatin.

Hovenier kërkon kryetarë me “rol teknik”

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në katër komunat veriore ishin “konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”, mirëpo shtoi se kryetarët e rinj të komunave në Veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.

“Shqetësimi” i Lajçakut

Gjatë javës që lamë pas, emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka qenë në Kosovë e më pas në Serbi. Gjatë vizitës në Veri, ai tha se ka dëgjuar disa gjëra për të cilat u shqetësua.

Ndër të tjerash, ai deklaroi se ka ritheksuar nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi duke kërkuar përqendrim të plotë në normalizim.

“Më pas vazhdova vizitën në veri të Kosovës për t’u takuar me bashkëbisedues të ndryshëm nga shoqëria civile dhe partitë politike dhe për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit. Fatkeqësisht, ajo që dëgjova më shqetësoi. Prandaj, ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, ka thënë emisari i BE-së.

/Shqip.com