Lajme

Besnik Bislimi për Lutfi Hazirin: Ka blerë vota nga Lista Serbe

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, për blerje votash nga Lista Serbe në zgjedhjet lokale, përcjell Shqip.com.

Bislimi tha se sondazhet e porositura që e kanë projektuar Hazirin fitues pa balotazh, ka qenë njëra ndër arsyet tjera pse kjo komunë nuk ka zgjedhur fituesin e zgjedhjeve lokale më 17 tetor.

“Në Gjilan gara është dashur të përfundohet më 17 tetor, sikur të mos kishin qenë dy elemente. Elementi i parë bombardimi i qytetarëve me pseudosondazhe ku thuhej se çdo gjë është e kryer, Haziri fiton pa balotazh. Këto kanë ndikim. Me sondazhe me rezultate të porositura.

Kryetari aktual i Gjilanit e ka ditur shumë mirë se si do të përfundojë rezultati më 17 tetor dhe ka shkuar deri në instrumente që askush nga qytetarët e Gjilanit nuk ka besuar se do të shkonte ai. I dini këto vota që i ka blerë nga Lista Serbe. Është edhe më keq nëse nuk i ka blerë ato e i janë dhënë falas. I bie se janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit”, ka thënë Bislimi në Kohavision.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale që janë mbajtur më 17 tetor, në Gjilan, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 44.43 ëpr qind të votave, kurse Haziri ka dalë i dyti me 43.81 për qind të votave./SHQIP.com