Ekonomi Biznes

BERZH ul parashikimin për rritjen ekonomike të Kosovës

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Kosovën dhe Shqipërinë.

Në raportin e fundit të BERZH-it për rritjen ekonomike në vendet e rajonit, thuhet se ekonomia e Kosovës më 2023 pritet të zgjerohet me 3%, nga 3.2% sa ishte rritja ekonomike në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, BERZH kishte vlerësuar se Kosova kishte pasur një rritje ekonomike prej 2.8%, përcjell Buletini Ekonomik.

Ekonomia vendase tashmë në këtë vit pritet të zgjerohet me 3%, ose minus 0.7 pikë përqindje më pak se pritshmëria që ishte pasqyruar në muajin shtator të vitit 2022 nga vet BERZH-i.

Përpos Kosovës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimin edhe për rritjen ekonomike të Shqipërisë në raportin e fundit rajonal. Sipas kësaj banke, ekonomia shqiptare në këtë vit pritet të zgjerohet me 2.5 për qind, ose 0.5 pikë përqindje më pak se pritshmëria në muajin shtator.

Për vitin 2022, BERZH ka vlerësuar se ekonomia e Shqipërisë është rritur me 3.7%.

Rritjen më të lartë ekonomikë në rajon më 2023 pritet që ta ketë Mali i Zi, me 3.3%, i ndjekur nga Kosova me 3%, derisa vendet si Serbia, Bosnjë Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut pritet të zgjerohen ekonomikisht me vetëm 2%.

Ndërkaq, ecurinë më të mirë ekonomike më 2022 e ka shënuar Mali i Zi, që sipas BERZH-it ka arritur një rritje prej 6.3%, rritje e fortë kjo që vlerësohet se vjen pas një rëniejeje më të fortë të këtij vendi në periudhën e pandemisë. Ndërkohë, Bosnja gjatë 2022-s është zgjeruar ekonomikisht me 4%, Maqedonia e Veriut me 2.5% dhe Serbia me 2.3%, shkruan Buletini Ekonomik.

Sipas këtij raporti, prodhimi në rajonin e BERZH pritet të rritet me 2.1 për qind në vitin 2023 pasi çmimet e larta të gazit dhe inflacioni i vazhdueshëm do të ndikojnë negativisht mbi perspektivën ekonomike në rajon.

Parashikimi aktual i BERZH-it përfaqëson një rishikim në rënie krahasuar me skenarin bazë të publikuar në shtator 2022, ku rritja ekonomike në këtë rajon deri në shtator ishte 3.5%, për të rënë më pas në 3.0% në fund të vitit 2022.

Megjithatë, rritja ekonomike në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të përshpejtohet deri në 3.4 për qind në vitin 2024, sipas BERZH-it, derisa ky parashikim për vitin 2023 është vetëm 2.2%.

/Shqip.com