Bërnabiq: Vuçiq e ka bërë të qartë se fajtorë për Banjskën janë Kurti dhe Perëndimi
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se “në fjalimin e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka akuzuar qartë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për krime kundër njerëzimit”.
Ajo ka thënë për televizionin publik serb RTS, se kjo është arsyeja pse presidenti Vuçiq përsëriti disa herë përkufizimin se Kurti qëllimisht krijon kushte të padurueshme të jetesës për serbët në Kosovë dhe se qëllimi i tij i vetëm është “pastrimi i Kosovës nga serbët”
Sipas saj, me heqjen e dinarit, Kurti ka “synuar t’i lërë serbët pa kushte për jetë”.
“Kur të analizohet fjalimi, do të shihet se Vuçiqi ka paraqitur rastin që Kurti të akuzohet për krime kundër njerëzimit, për shkak të dëmeve të pariparueshme dhe krijimit të kushteve të padurueshme të jetesës për të dëbuar serbët nga Kosova”, ka pretenduar Bërnabiq, në propagandën e saj të dedikuar vetëm anëtarëve më besnik të partisë së Vuçiqit sepse askush tjetër më nuk i beson as në Serbi.
Bërnabiq ka shtuar se “Vuçiqi gjatë fjalimit të tij ka përmendur se ka pasur 470 sulme ndaj serbëve dhe pronës së tyre, si dhe ndaj pronës së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, dhe se kushdo që e shikon fjalimin e Vuçiqit dhe merret me të drejtën ndërkombëtare mund të konstatojë se në Kosovë ka një krim të padiskutueshëm ndaj serbëve”.
E pyetur për të komentuar replikën e Vuçiqit në të cilën ai foli për ndalimin e një automjeti që po transportonte dinarë në Kosovë, Bërnabiq ka thënë se “presidenti ynë e ka ditur se Kurti do të akuzonte serbët se janë kriminelë që transportojnë para në thasë”
Bërnabiq gjithashtu ka thënë se Vuçiq i iku diskutimit për Banjskë, sepse “e ka ditur se Kurti do të gënjejë për këtë ngjarje”.
“Vuçiqi ishte i sigurt se shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, qysh janë ata, do ta përmendnin Banjskën dhe ai “priti”, pasi kishte kohë shtesë për replikë, sepse ajo kohë për Banjskën do t’i kishte marrë 10 minuta në fillim, të cilën ai e përdori për t’i treguar krimet kundër njerëzimit!”, ka pretenduar Bërnabiq.
Sipas propagandës së saj sa qesharake as edhe tragjike, “Vuçiqi e ka bërë të qarët se për Banjskën, përveç Kurtit, fajin e kanë edhe ata që premtuan se serbët nuk do të persekutohen dhe arrestohen”.
“Serbia është një vend i lirë dhe liridashës, presidenti Vuçiq tregoi se si luftohet për Serbinë”, si zakonisht Bërnabiq nuk harron të servilizohet ndaj shefit të saj.
/Shqip.com