Lajme

Bërnabiq reagon pas suspendimit të gjyqtares: Marrëveshja e Brukselit ka vdekur

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka reaguar pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq pasi mori pjesë në takimin e thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Bërnabiq pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po cenon paqen dhe stabilitetin në baza ditore.

“Vazhdon dhuna brutale ndaj serbëve në Kosovë. Me çdo vendim, Kurti cënon paqen dhe stabilitetin në baza ditore, shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe mohon të drejtat themelore të njeriut për pjesëtarët e popullit tonë në Kosovë. Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.

Mbledhja e thirrur nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq

Për këtë çështje, disa orë më parë ka reaguar edhe Vuçiq.

Përmes një video, ai thënë se me shkarkimin e gjykatëses serbe, Kurti ka sulmuar Serbinë.

“Kurti ka shkelur marrëveshjet e Brukselit dhe sipas tij dhe të tjerëve që e mbrojnë atë, marrëveshjet e Brukselit më nuk ekzistojnë. Kurti është ai që dëshiron ta prishë paqen në Kosovë. Me vendime të tilla, ai dëshiron që t’i sulmojë qytetarët serbë aty ku ata jetojnë”, tha Vuçiq.

Theksojmë se më 24 mars, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar nga puna Stevanoviqin pasi mori pjesë në takimin e thirrur nga Vuçiq në Serbi.

Të pranishëm kanë qenë edhe disa eprorë të Policisë së Kosovës në veri.

Nga ky institucion, për Shqip.com kanë thënë se rasti është dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

Ndërsa, Rashit Qalaj anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrotjes tha për Shqip.com se ky Komision do të mblidhet më 29 mars për të diskutuar për këtë çështje./Shqip.com