Lajme Ballkan

Bërnabiq: Propozimi i një rezolute për Srebrenicën është një “farsë”

Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.
Ana Bërnabiq, kryetare e Kuvendit të Serbisë.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se propozimi i një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë është një “farsë” dhe se ajo kurrë nuk ka qenë më e shqetësuar për paqen në Ballkan sesa tani.

“I ftoj të gjithë nga Bashkimi Evropian (BE) të pyesin veten se si do të duket Bosnjë e Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, më i qëndrueshëm, ku të ketë mirëkuptim më të madh ndërmjet boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, ose më të paqëndrueshëm”, tha ajo për televizionin TV Pink në Serbi.

Ajo deklaroi se, para së gjithash, këtë e bëri Gjermania, e më pas të gjithë ata nga Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që do të votojnë për rezolutën, transmeton Beta.

Një grua duke ecur mes varreve të viktimave të masakrës së Srebrenicës në Potoçari, pranë Srebrenicës.

Bërnabiq pyeti se si do të ndihen sot serbët në Bosnje e Hercegovinë, në Republika Sërpska, në Federatë…

“Turp për ju, sidomos për ju nga Gjermania, turp për ju, atë që po i bëni popullit në Ballkan, gjithë popullit në Ballkan, para së gjithash popullit serb, por edhe të gjithëve në Ballkan. Kjo nuk po i sjell askujt asgjë të mirë”, tha Bërnabiq.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë më 23 maj për një rezolutë që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të SHBA-së.

Sponsorë të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, ndërsa 32 vende janë bashkë-sponsorizues, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.

Këshilli Shtetëror i Serbisë në disa raste ka vlerësuar se rezoluta është një deklaratë politike që synon të vendosë një vulë kolektive në kokën e një kombi.

Në prag të seancës, në Beograd u shfaqën billborde me mesazhin “Ne nuk jemi një komb gjenocidal”. Në to janë të theksuara stemat e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, entiteti i Bosnje e Hercegovinës.

Qendra Memoriale Potoçari për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta nuk përmend asnjë komb apo shtet.

Ajo u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe nga gjykatat vendase. /REL

/Shqip.com