Lajme

Bërnabiq: Do të luftojmë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se ashtu siç kanë luftuar që dokumentet personale të Serbisë të jenë në Kosovë, ashtu do të luftojnë edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Përmes një prononcimi për media nga veriu i Kosovës, Bernabiq tha se vija e kuqe e tyre është siguria e popullit serb në Kosovë.

“Kemi një lider burrë që na udhëheq në këtë rrugë, ai është Vuçiqi. Siç luftuam për dokumentet personale serbe në Kosovë do të luftojmë edhe për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe nuk do të heqim dorë. Të mos vazhdojmë të flasim për institucionet e Prishtinës, por vija e kuqe e jona është siguria e popullit serb në Kosovë”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja serbe, tha se nuk do të lejojnë ‘persekutimin’ e popullit serb kështu, duke përmendur edhe marrëveshjen e Brukselit.

“Ashtu siç ka thënë edhe Vuçiqi, po e përsërisë edhe unë këtu në Mitrovicë,  nuk do të lejojmë persekutime të reja në popullin tonë. Mundemi dhe të jemi gati që të marrim vendime të vështira, vendime jopopullore siç është marrëveshja e Brukselit në vitin 2013 të cilën po e mbrojmë dhe po i qëndrojmë prapa, e prej të cilës sot Prishtinë apo ik dhe po ngutet të aplikoj marrëveshje të tjera të vitit 2011 të nënshkruar nga të tjerë”.

Gjatë ditës së sotme, Ana Bërnabiq ka vizituar veriun e Kosovës dhe është takuar me serbët lokal atje.

Për media Bernabiq ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur” duke potencuar se në të mund të përfshihet siç e quan ajo institucionet e Prishtinës.

Ndërsa, tre ditë më parë është mbajtur samiti i radhës i Ballkanit të Hapur në Serbi./Shqip.com

.