Lajme

Berisha: Yuri Kim ka qenë promotore e tenderave korruptivë pa garë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë se ambasadorja Yuri Kim ka qenë një lloj McGonigal i hapur.

Kryedemokrati është shprehur se ambasadorja në përpjekjet e saj antikushtetuese dhe antidiplomatike ka dashur të shkatërrojë opozitën.

Ai ka përmendur se Kim ka mbrojtur koncesionin e Skavicës pa tender, ka mbrojtur koncesionin e Butrintit pa tender dhe se ka qenë promotore e bizneseve të padrejta, dhe këto sipas tij janë baraz me korrupsion.

“Në mbështetjen e verbër të këtij regjimi, Yuri Kim ka qenë një lloj McGonigal i hapur. Në dy aspekte, e them dhe do ta them. Në përpjekjen e saj antikushtetuese dhe antidiplomatike për të shkatërruar opozitën. Dhe kjo është në një zinxhir deklaratash. Por ajo mendoi se unë mund të shantazhohesha.

Ndër të tjera, i thotë një deputeti të PD-së, si mesazher: shko dhe thuaji, nëse deri nesër Sali Berisha nuk pranon këtë ose atë, ndaj fëmijëve të tij dhe atij, do merren këto masa. I përgjigjemi, mos pritni nesër, merrini sot. Nëse u kujtohet, Lul Brava u thoshte bashkëpunëtorëve të tij se do e pësojnë keq fëmijët e tij apo ai“, ka theksuar Berisha.

/Shqip.com