Lajme

Berisha thyen masën e sigurisë, komunikon me altoparlant me mbështetësit nga ballkoni i shtëpisë

Ndërkohë që mbështetësit e tij ishin mbledhur poshtë banesës së tij, ish-kryeministri Sali Berisha iu është drejtuar me një fjalim nga dritarja e shtëpisë së tij.

Pasi valëviti flamurin shqiptar dhe atë të PD-së, Berisha u shpreh ndër të tjera se kjo është një betejë që ka mision rikthimin e pluralizmit, pasi siç u shpreh ai, po shkon drejt zhdukjes.

“Vendosën ti ndërpresin Sali Berishës çdo komunikim me ju, por unë do ju rrëfej ju një gjë. Miqtë e mi, unë dhe çdo njëri prej jush kemi dy kushtetuta. Kushtetutë supreme kemi ndërgjegjen tonë, ajo është hyjnore dhe i bindemi asaj njëlloj si zotit. Ndaj ju garantoj ju se Sali Berisha do të mbrojë vetëm atë që është në interesin tuaj dhe në interesin e demokratëve dhe në interesin e Shqipërisë. Përveç kësaj saj vendi, kombi ka një kushtetutë që përdhoset dhe shkelmohet çdo ditë nga diktatori i bandave, Edi Rama. Kushtetua ka një nën te saj, nenin 17 që përcakton se nuk ka kryeministër, gjykatës dhe prokuror që të mohojë lirinë e shprehjes. Horrat ligj nuk kanë, moral nuk kanë“, tha Berisha.

Edhe pse sipas vendimit të Gjykatës nuk i lejohet që të flasë me askënd tjetër përveç personave që jetojnë me të, Berisha e ka thyer këtë masë për herë të dytë. Edhe gazeta gjermane BILD bëri të ditur se ka arritur të flasë me Berishën, pas dhënies së vendimit nga GJKKO në Tiranë, duke zbuluar kështu shkeljen e ish-kryeministrit.

Që prej 30 dhjetorit 2023 Berisha qëndron në masën “arrest shtëpie” ndërsa i ndalohet komunikimi me persona të tjerë përveç atyre që  bashkjetojnë  në një banesë me të.

Në fjalimin që mbajti nga dritarja e apartamentit ai tha se nuk ka komunikuar verbalisht me mbështetësit, jo në respekt të vendimit të Gjykatës, por për shkak të gjendjes shëndetësore.

/Shqip.com