Lajme

Berisha sfidon policinë, protesta e 6 dhjetorit edhe pa leje

Sali Berisha nuk e ka përfilluar aspak vendimin e policisë së Tiranës për të mos e lejuar protestën e opozitës në 6 dhjetor me justifikimin se cënohet siguria për mbledhjen e lidërve të BE-së që do zhvillohet në Tiranë.

“I rikujtoj këtyre vasalëve të Edi Ramës, se Kushtetuta nuk njeh kufizime për protestat dhe liritë e qytetarëve”, tha lideri i PD-së këtë të shtunë gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarët.

Sipas tij, “ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që vendos se protestuesi nuk ka asnjë detyrim që të njoftojë policinë”.

Të premten, në orët e vona të mbrëmjes Drejtoria e policisë së kryeqytetit, me anë të kreut të saj, Lorenc Panganika pretendoi se tubimi do të cenonte sigurinë kombëtare.

“Vendosa të ndaloj zhvillimin e tubimit të kërkuar nga ana Juaj në datën 06.12.2022, ora 12.00 deri në orën 16.00, në vendin e përcaktuar në kërkesë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mbetet e angazhuar për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të marrë pjesë në tubime paqësore dhe mirëpret çdo njoftim Tuajin për zhvillimin e tubimit në një vend alternativ, jashtë perimetrit të sigurisë”, shkruhej në komunikatën e lëshuar prej tij.

/Shqip.com