Lajme

Berisha refuzon SPAK-un: Nuk paraqitem, s’ka bandit që më imponon mua të shkel Kushtetutën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të shkojë ditën e sotme në SPAK për t’u paraqitur pas vendimin e GJKKO, e cila caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ dhe bllokimin e pasaportës.

Berisha tha se është shkelur kushtetuta dhe se do shkojë sa herë në Prokurori, por mjafton që kjo të votohet në Parlament.

Këtë të hënë, drejtimin Sali Berisha e kishte për tek Kryesia e Kuvendit ku do të zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar demokrat.

“Së pari, përveç medieve, nuk kam asnjë njoftim! Së dyti, jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje. Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij. Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime. Nuk kam refuzuar kurrë. Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të t drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën.

Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës. Nëse për një deputet shkelet Kushtetuta, imagjino se çfarë bëhet me një qytetar të thjeshtë. Dhe Edi Rama kërkon të vendosë gjer në fund pushtetin e tij personal. Unë u them demokratëve dhe qytetarëve se ne qëndrimet e mia nuk ka asnjë gjë personale, përveç mbrojtjes së interesave jetike të tyre, duke mbrojtur Kushtetutën.

Kushtetuta ka përcaktimet e veta. E kam thënë dhe e them, në vitin 2012 unë dërgova ligjin për t’i hequr çdo lloj mbrojtje deputetit. Edi Rama refuzoi në mënyrë kategorike këtë ligj, por u kalua e drejta e hetimit.
Unë që nesër jam i gatshëm të votoj përsëri ligjin që kam dërguar në vitin 2012. Por përderisa Kushtetuta është në fuqi, nuk ka bandit në Shqipëri sa në botë që të më imponojë mua të shkel Kushtetutën
“, u shpreh ish-kryeministri.

Sakaq, juristët referuar bazës ligjore dhe praktikës juridike, thonë se ish-kryeministri mund të përballet me ashpërsimin e masës së sigurisë nëse refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës “detyrimin për t’u paraqitur” në SPAK, para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Metaj.

Avokatët e pajisur me prokurë nga Berisha, apeluan masën, megjithatë përsa kohë ajo është në fuqi, data e parë kur Berisha duhet të paraqitet, sipas vendimit të gjykatës, është sot ora 10:00, datë 6 nëntor 2023.

Në këtë kohë oficerja mban proces-verbal ku shënon se Sali Berisha nuk është paraqitur dhe se nuk ka dorëzuar raport mjekësor apo dokument tjetër që justifikon ligjërisht mosparaqitjen.

/Shqip.com