Lajme

Berisha: Rama kryeson një organizatë kriminale që vjedh nga mëngjesi në darkë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka marrë pjesë ditën e sotme në një takim elektoral me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Shkodrës, Bardh Spahia.

Nga atje Berisha ka deklaruar se rrugët në Evropë ndërtohen me tarifa që shkojnë deri në 3 milionë euro, ndërsa në Shqipëri ndërtohen me 24 milionë euro.

Ai shtoi më tej se kryeministri Rama në “çdo ligj të botës, në çdo kod, në çdo kushtetutë kryeson një organizatë kriminale, që vjedh nga mëngjesi deri në darkë shqiptarët”.

“Këto zgjedhje janë zgjedhjet e jetës tonë. Shkodra përmbysi e para monizmin në vitin 1991, por sot ne jetojmë një monizëm i cili tu them të vërtetën ju, sipas sociologëve më të njohur të kohës është forma më e egër më e shëmtuar e monizmit.

Forma e monizmit që nuk bazohet në doktrinën staliniste, nuk bazohet në teokraci, në sundim ushtarak, por bazohet kryekëput në bandokraci, në sundimin e bandës. Dhe e vërteta është se ti Edvin në çdo ligj të botës, në çdo kod, në çdo kushtetutë kryeson një organizatë kriminale, që vjedh nga mëngjesi deri në darkë shqiptarët, që praktikon gjenocidin ndaj tyre, në kuptimin e kartës së OKB-së për gjenocid, që në nenin 3 thotë; është gjenocid krijimi i kushteve të llogaritura për largimin e qytetarëve nga vendi. Dhe ai këtë bën.

Një njeri që arrestoi 36 mijë shqiptarë, për çfarë, për fatura drite, për çështje civile. Nuk e bën asnjë diktaturë në botë. Nuk arrestohet tjetri për çështje civile. Çështja civile i ka të përcaktuar me një kod qëndrimet, kurse ky si gardian kalonte nga një studio në tjetrën me hekura në xhep, kundër qytetarëve të vet.

Edvin këto dhe tirania e varfërisë që u ktheve shqiptarëve janë aktet më të shëmtuara të një qeveritari.

Ndërton një rrugë në fushë, autostradë me 24 milionë euro, në një kohë që në Gjermani ndërtohet me 2-3 mln euro. Ndërton një shkollë me 6 mln euro në një kohë që ato ndërtohen me 700 mijë euro sipas standardit në BE dhe SHBA. Pra ky nuk njeh kufij në vjedhjet e tij, ndaj dhe ky vendosi tiranin e varfërisë mbi shqiptarët”, u shpreh ai, raportojnë mediat në Shqipëri.

/Shqip.com