Lajme

“Berisha pati sot ditën e fundit politike në Shqipëri”

Kreu i PD-së, Lulzim Basha.

“Berisha pati sot, de fakto ditën e fundit politike në Shqipëri”.

Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për media pas protestës së zhvilluar të shtunën në selinë e kësaj partie nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Protesta e dhunshme në selinë blu u bë nën thirrjen e Berishës për të hequr Bashën nga drejtimi i PD-së.

Ky i fundit në konferencë deklaroi se “demokratët e braktisën Berishën”.

“Dua t’i falënderoj demokratët që e braktisën planin vëllavrasës të Berishës”, tha Basha pasi tregoi se sa dëme protesta ka shkaktuar në ambientet e PD-së.

Vetë protestën, ai e cilësoi si një “zhvillim tragjik” jo vetëm për demokratët, por për mbarë shqiptarët.

Ajo që nisi me pretekstin për një lëvizje demokratizuese, sipas Bashës, tregoi fytyrën e vërtetë të Berishës.

“Beteja e Sali Berishës nuk bëhet për askënd tjetër përveç vetes dhe në këtë betejë nuk kursen askënd”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Basha tha se kjo është një mundësi për demokratët për t’u shkëputur njëherë e mirë nga “trashëgimia e tij e zezë”.

“Vula e kësaj tragjedie do të mbetet 8 janari”, deklaroi kreu i PD-së./SHQIP.com