Pasi u shpall “non grata”, Berisha i dërgon letër ambasadorit britanik në Shqipëri
Ditën e djeshme, në konferencën me gazetarët, Sali Berisha njoftoi se është shpallur “non grata” edhe nga Britani e Madhe. Sakaq ai paralajmëroi se do të vijojë betejën ligjore.
Siç raporton BBC, ditën e sotme, ish-kryeministri i ka drejtuar një letër të hapur Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith.
Berisha shpreh bindjen se kundër tij nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë provë, për faktin e thjeshtë se ato nuk ekzistojnë.
“Ne mungese te fakteve, në vend të ndjesës publike, në ketë reagim mbrohen shpifjet vulgare te letrës në emër te sekretarit te brendshëm në të cilën unë akuzohem për korrupsion d.m.th. përdorimin e pushtetit për pasurimin tim dhe te rrethit tim për te cilat nuk keni sjelle dhe nuk do të mund te sillni kurrë asnjë prove dhe fakt të vetëm për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistojnë”, shkruhet në letrën e Berishës.
Berisha vijon më tej dhe shprehet se kundër ish-këshilltarit të tij britanik Damir Fazlic, i cili përmendet në letër, pas hetimeve nga Prokuroria shqiptare nuk është provuar asnjë nga shkeljet e pretenduara.
“E vetmja gjë konkrete qe përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazlic, ish këshilltari im elektoral ne ekipin e BGR ne zgjedhjet e vitit 2005, te cilin sipas letrës, unë e kam pasuruar dhe mbrojtur kur ndaj tij dolën prova inkriminuese”.

Berisha e quan tendencioze përdorimin për akuza ndaj tij emrin e Fazlicit.
“E gjej tendencioz dhe absurd përdorimin për akuza ndaj meje te emrit të një qytetari britanik i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim, dhe në dijeninë time, as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime”.
Berisha paralajmëron se nuk do të rreshtë së luftuari për të provuara pafajësinë e tij.
“Më ketë rast, dua t’ju siguroj ju dhe qeverinë e Madhërisë se saj për të cilën ruaj respekt te vërtetë, se me të gjithë mundësitë e mija modeste, nuk do rresht së luftuari për të bindur shqiptarët se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre”.
Në fund, ish-kryeministri i kërkon Britanisë së Madhe që çdo provë të mundshme kundër tij, ta paraqesin në Gjykatë./Shqip.com