Lajme

Berisha: Në Shkodër u shpërndanë 12 milionë euro për të blerë vota

Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar humbjen e koalicionit “Bashkë fitojmë” në bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e 14 majit.

Ai tha se opozita dhe kandidati i saj në kryeqendrën e veriut ishin 14% para, por ishte ndërhyrja e qeverisë dhe përdorimi i bandave kriminale në blerjen e votave që deformuan vullnetin e qytetarëve.

Berisha tha se fisi i Bajrave dhe 4 banda që ishin bërë bashkë në Shkodër kanë shpërndarë 12 milionë euro për të blerë votat.

“Në Shkodër, poll-et tona dhe poll-et e kundërshtarëve tanë, dilte me 12-14% përpara për ne. Përveç këtyre poll-eve, vetë kandidati kishte një organizatë sondazhesh nga Kosova e cila konfirmonte të njëjtat rezultate. Tre ditë para zgjedhjeve, socialistët në mjediset e tyre të brendshme deklaronin se e mbyllëm Shkodrën.

Informacionet e mia ishin këto, fillimisht i dërguan 2 milionë euro bandës kryesore, Bajrave për t’i shpërndarë. Nuk patën efektin që donin. Dhe më pas kanë dërguar 10 milionë euro. Kanë unifikuar në veprimtari kriminale 5 banda nga Dajçi në Dobraç dhe i kanë vërsulur duke ndarë para dhe rrëmbyer votat për qeverinë”, tha Berisha në një intervistë në Syri TV.

/Shqip.com