Sport Shqiptar

Berisha: Ndaj Izraelit vështirë, por mund t’ia dalim

Përfaqësuesja e Kosovës e nis fazën e kualifikimeve për EURO 2024 me ndeshjen në udhëtim te Izraeli, e cila zhvillohet më 25 mars.

Para ndeshjes, në kampin e Dardanëve mbretëron optimizëm dhe këtë e ka shprehur edhe mesfushori Valon Berisha.

“Ekipi po punon mirë, kemi filluar ta përgatisim lojën tonë, të cilën do ta aplikojmë kundër Izraelit. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse ata luajnë para tifozëve të vet. Edhe koha mendoj se do të jetë më ndryshe se sa jemi mësuar ne, me temperaturat këtu dhe do të jetë një sfidë e vështirë”, ka thënë Berisha.

Foto: The Associated Press

“Edhe ata duan të arrijnë në top dyshen e grupit dhe mendoj se jemi në të njëjtin nivel. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, në të cilën duhet që së paku të marrim një pikë jashtë. Normal, fitorja është ajo që duam, por me rëndësi është të mos humbim”, ka shtuar mesfushori dardan.

“Misioni i kualifikimit a është i mundur? Besoj që po. Ajo që është kryesore për ne është se shumë lojtarë kyçë në kombëtare janë duke luajtur rregullisht në ekipet e tyre dhe janë në formë të mirë. Ky ndoshta ka qenë edhe fakti që është kërkuar më së shumti te Përfaqësuesja jonë, për të sjellë formën e tyre të mirë dhe të jenë të gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën”, ka theksuar Berisha.

/Shqip.com