Lajme

Berisha me akuza për qeveritarët: Po bllokojnë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë

Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla

Siç raporton KP, Berisha tha se ata po bllokojnë rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë duke mos e dërguar në Kuvend.

“Problemi i dytë madhor që bllokohet prej një viti është rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë. Kjo rezolutë, e dorëzuar nga deputetët tanë, nuk paraqitet as për shqyrtim në komisione. Të ishte agjente e betuar e Beogradit, Linda e Parlamentit, ndryshe nuk mund të sillej. Natyrisht, është apo nuk është atë nuk e di, se nuk kam të dhëna. Por di që Edi Rama është një argat i Vuçiq, dhe di që ai e bllokon totalisht këtë me urdhër të tij. Gjenocidi serb në Kosovë, është një gjenocid ciklik. Aktet e fundit e këtij gjenocidi u kryen në operacionin ‘Patkoi’, gjatë luftës në vitin 1999”, tha Berisha.

Përpos rezolutës për gjenocid serb në Kosovë, Berisha paralajmëroi edhe një rezolutë për gjenocidin serb në fshatrat në veri të Shqipërisë në disa beteja gjatë Luftës së Parë Ballkanike në vitet 1912 dhe 1913.

Sipas tij, një komision i krijuar për hetimin e shkaqeve dhe krimeve të luftës, i përbërë nga personalitete të shquara të kohës në fushën e jurisprudencës, ka konkluduar se barbaritë e Lumës janë gjenocid.

“Ndaj dhe ne nuk pajtohemi me këtë, dhe do të insistojmë derisa të paraqitet rezoluta që dënon gjenocidin serb në Kosovë. E paralajmëroj që do paraqitet edhe rezoluta që dënon gjenocidin serb të Lumës, i cili është ndërkombëtarisht i njohur”.

Tutje, Berisha tha se nuk ka asnjë qëllim tjetër, përveçse njohja e të shkuarës dhe reflektimi mbi të që e ardhmja të mos lejojë përsëritjen e këtyre akteve.

/Shqip.com