Lajme

Berisha: Kosova u sulmua kibernetikisht nga sistemet e Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë se Kosova është sulmuar kibernetikisht nga sistemet e Shqipërisë.

Ai tha se ka dyshime që nga këto sisteme janë sulmuar edhe Mali i Zi dhe Maqedonia.

“Kosova është sulmuar nga sistemet e Shqipërisë. Mali i Zi gjithashtu është është në atak dhe Maqedonia. Nuk e di nëse janë sulmuar nga sistemet shqiptare këto të fundit. Por për Kosovën është e sigurt që janë sulmuar nga sistemet shqiptare. Çka do të thotë një penetrim i plotë i hakerave serbë ose rusë sepse dihet se problemet më madhore me Kosovën i kanë. E vërteta është se mbrojtja e Kosovës dhe persona të kësaj fushe ka deklaruar se sulmet janë nga rajoni”, tha Berisha.

Siç raportojnë mediat shqiptare, ish-kryeministri shqiptar tha më herët se përveç hakerave iranianë në operacionin për shkatërrimin e infrastrukturës digjitale në Shqipëri kanë marrë pjesë hakera të qeverisë, hakera rusë dhe serbë.

“Dua të informoj shqiptarët me përgjegjësi të plotë nga burime të trefishta, se në operacionin e shkatërrimit të infrastrukturës digjitale në Shqipëri, përveç hakerave iranianë, janë pjesëmarrës hakera në qeveri, hakera rusë dhe serbë. Kjo është një e vërtetë e konfirmuar për opozitën, nga burime shumë serioze.

E thashë këtë, për t’u thënë të vërtetën shqiptarëve, të cilën ua fsheh shqiptarëve Edi Rama dhe klika e tij. Shqiptarët janë dëshmitarë se hakerimi masiv i të dhënave të tyre personale filloi me dorëzimin e të dhënave të patronazhistëve”, theksoi ai./SHQIP.com