Berisha: Kosova nuk po i merr vizat për shkak të krimit të organizuar shqiptar
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Kosova nuk është duke i marrë vizat për shkak të krimit të organizuar shqiptar, përcjell Shqip.com.
Gjatë fjalimit në foltoren e tij në Elbasan, Berisha tha se në këtë pikë vendin e ka sjellur kryeministri aktual, Edi Rama, gjatë qeverisjes së tij, raporton Top Channel.
“Nëse keni lexuar deklaratën e Bledit para dy ditëve ju them se nuk kam lexuar njëherë për dokumente të tillë, mirënjohje sepse e linin shtegun hapur për arsye se kishin tendencë ta mbyllnin fare. Por e hapin edhe një mundësi për ta mbyllur. Na vlerësonin partnerë. Prej 6-7 vitesh diskutohet që këto vende të mos i përfshijnë në integrim, t’i quajnë partnerë t’i japin fonde, të rrinë në punën e tyre se s’kemi punë me ta.
E lanë zgjerimin, por u shprehën për vende partnere. Kur bëhesh kampion për kërkesa për azil politik në Europë kush do të bëjë me ty. Kjo situatë pengon Kosovën për të hapur vizat. Vizat nuk ia japin Kosovës për shkak të krimit të organizuar shqiptar. Këtu na ka katandisur ky”, tha Berisha.
Tutje, Berisha tha se duhet të përgatiten për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi, teksa “kërcënoi” Ramën se kur të ngrihen në këmbë nuk do të shqiten nga rruga “pa të hedh atë atu e Meriton”./SHQIP.com