Lajme

Berisha humb një tjetër “betejë” me drejtësinë

As Gjykata e Lartë “nuk e shpëtoi” ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili do të vazhdojë të qëndrojë nën masën “arrest shtëpie”.

Kolegji Penal vendosi sot të lërë në fuqi vendimin vendimin e 25 janarit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Berisha ndodhet prej 3 muajsh në arrest shtëpie për çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani” gjatë kohës kur ai ishte në detyrën e kryeministrit.

Me relator gjyqtarin Sokol Binaj, Gjykata e Lartë la në fuqi këtë të martë vendimin e Gjykatës së Posaçme duke e lënë të pandryshueshme masën për Berishën të marrë që në 30 dhjetor 2023.

“Kolegji Penal, pasi shqyrtoi ne teresi dhe ne themel te gjitha shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur nga Z. Sali Berisha, vendosi: Lenien ne fuqi te vendimit nr. 15 date 25.01.2024,  te Gjykates se Apelit te Posaçëm per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.

Një ditë më herët Gjykata e Posaçme, vendosi të rrëzojë një tjetër kërkesë të ish-kryeministrit për revokimin e të njëjtës masë. Sali Berisha është nën hetim për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dyshohet për korrupsion e pastrim parash.

Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij të privatizojë ish-klubin sportiv. SPAK ka vendosur të zgjasë afatet e hetimit edhe për 3 muaj dhe pritet që ky vendim i prokurorëve të posaçëm të miratohet nga gjykata. Sali Berisha thotë se arrestimi i tij është politik dhe se mbajtja në arrest shtëpie, po bëhet me qëllim që t’i digjet mandati i deputetit.

/Shqip.com