Lajme

Berisha denoncoi njerëzit e Vuçiç në protestë/ Zbulohet i riu serb që organizon bllokimin e rrugëve në Tiranë

Protestat që prej 20 ditësh po zhvillohen në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re, ku krahas tubimeve para Kryeministrisë, organizatorët kanë demonstruar edhe bllokime të akseve kryesore rrugore në Tiranë gjatë marshimeve të darkës.

Pak ditë më parë, kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se në mesin e protestuesve ndodheshin edhe persona të lidhur me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Deklarata e tij u prit me skepticizëm nga protestuesit, të cilët e konsideruan atë një akuzë pa bazë.

Megjithatë, shqip.com ka mësuar se një shtetas serb rezulton të jetë pjesë aktive e organizimit të protestave dhe veçanërisht e aksioneve për bllokimin e rrugëve në kryeqytet.

Bëhet fjalë për Alija Madzoviç, një i ri nga Novi Pazari i Serbisë, i cili sipas informacioneve të siguruara nga shqip.com, është pjesë e grupit të komunikimit të organizatorëve të protestave kundër resortit të familjes Trump në Zvërnec.

Në një mesazh të publikuar në grupin e WhatsApp-it të organizatorëve, Madzoviç shprehet se ka eksperiencë nga protestat e zhvilluara në Serbi, ku bllokimi i rrugëve është përdorur si një nga format kryesore të presionit ndaj autoriteteve. Ai ofron gjithashtu këshilla dhe sugjerime mbi mënyrën e organizimit të këtyre aksioneve në Tiranë.

Zbulimi i përfshirjes së studentit serb në koordinimin e protestave pritet të hapë diskutime të reja mbi ndikimin e aktorëve të huaj në lëvizjen protestuese, veçanërisht në një moment kur klima politike në vend është tensionuar dhe protestat kanë marrë një karakter gjithnjë e më politik.

Deri tani nuk ka një reagim publik nga organizatorët e protestës lidhur me rolin e Alija Madzoviç, ndërsa mbetet e paqartë se prej sa kohësh ai është përfshirë në organizimin e aktiviteteve të tyre në Shqipëri.

Në disa dalje radhazi për mediat ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas protestave qëndrojnë shërbimet e huaja, veçanërisht ato iraniane, sipas tij, me qëllim destabilizimin e vendit.

/Shqip.com