Lajme

Berisha: Baxhanaku dhe thjeshtra e Ramës, kampionë në fitimin e tenderëve

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka prezantuar ditën e sotme kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet e 14 majit, në bashkinë Gramsh.

Nga atje, Berisha ka komentuar sloganin e Partisë Socialistë për këtë fushatë, duke thënë se “përpara me Edi Ramën” do të thotë drejt shkatërrimit të familjes.

Berisha shtoi se kjo qeveri “vetëm vjedh” nga mëngjesi në darkë me tendera, duke shtuar se baxhanaku dhe thjeshtra e kryeministrit Rama janë “kampionë në fitimin e tenderëve”.

“Familja ka qenë streha, vatra, e cila ka garantuar mbijetesën tonë. Këta duan të shembin familjen dhe gjininë. Po, po. Këta po fusin në shkolla dhe kopshte në Tiranë, prindi 1 dhe prindi 2. Këta pyesin fëmijët në kopshte çfarë gjinie preferon. Këta ecin me projekt të degradimit të plotë të shoqërisë shqiptare. E pranojnë ata, pse e bëjnë këtë? E bëjnë këtë sepse duke depersonalizuar prindin. Gjinia është ndarë që nga Eva dhe Adami. Duke i fshirë këto, këta transformojnë njeriun pa personalitet që nuk di kush është. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Të ndalojmë këtë agresion të tmerrshëm. Përpara me Edi Ramën do të thotë drejt shkatërrimit të familjes”.

Këta qeveritarë nga mëngjesi në darkë vetëm vjedhin. Këta i ndajnë paratë me njëri-tjetrin dhe klientelën. Po t’i hidhni një sy tenderëve, ato i fitojnë vetëm të afërmit e qeveritarëve. Shembullin e jep Rama. Baxhanaku i tij është kampion në fitimin e tenderëve. Thjeshtra kampione në fitimin e tenderëve, raportojnë mediat në Shqipëri.

Shkojmë te Erion Veliaj, vëllai i tij fiton tenderin për t’i bërë dasmën në kalanë e Gjirokastrës. Po kur ecin pa tenderë fare, nuk vjedhin vetëm me to. Vendosën bordet për të rritur çmimet, fituan 520 milionë euro.

/Shqip.com