Lajme

Berat Rukiqi i reagon Kurtit: Të dhënat e paraqitura janë të pasakta dhe tendencioze

Postimit të kryeministrit Kurti rreth progresit ekonomik, i ka reaguar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai ka shkruar se të dhënat e paraqitura nga Kurti janë të pasakta dhe interpretime tendencioze.

“Qarkullimi i bizneseve është rritur, jo si rezultat i rritjes së fuqisë blerëse apo ndonjë performance më të mirë ekonomike. Rritja e qarkullimit, është rezultat i inflacionit (në shumicen e produkteve, rritja e çmimeve është mbi 20%)”, ka shkruar Rukiqi.

Rukiqi ka shkruar gjithashtu se vendet e reja të punës janë vetëm formalizim sepse nuk bëhet fjalë për krijim të vendeve dhe se nuk është rezultat i ndonjë investimi apo rritje e bizneseve ekzistuese.

Ndërsa sa i përket eksportit, ish-kryetari i OEK-ut, thotë se ai është rritur nga kompanitë private dhe performanca e tyre, e që nuk ka të bëjë me politikat e Qeverisë Kurti.

“Eksporti është rritur nga kompanitë private dhe performanca e tyre. Qeveria nuk mund ta thotë që ka ndërmarrë ndonjë masë apo politikë të vetme që ka ndikuar në këtë performancë të eksportit. Minimalisht çka duhet të bëj Kryeministri, është të vizitoj dhe të ju jep përkrahje simbolike, atyre që sot janë mbi 25% e eksportit të Kosovës, përkatësisht kompanisë “Devolli Corporation” , po edhe kompanive tjera që me shumë mund kanë arritur një pozicionim në tregjet globale”, ka thënë Rukiqi.

Kujtojmë se Berat Rukiqi ka qenë në krye të Odës Ekonomike deri para 2 muajve dhe se emri i tij është lakuar në lidhje me një aderim të mundshëm në LDK.

Në përgjigjen e Rukiqit, ai as nuk e ka mohuar, por as pohuar një kalim të mundshëm në LDK./SHQIP.com

/Shqip.com