Lajme Ballkan

Beogradi cakton katër komuna në Serbi, për të votuar serbët e Kosovës

Zgjedhjet serbe

Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin – këto janë komunat në të cilat mund të votojnë votuesit nga Kosova në zgjedhjet serbe të 3 prillit.

Ky vendim është marrë nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve

për shkak se autoritetet e Kosovës dhe ato serbe nuk kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Kosovë.

Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviq, tha se institucioni të cilin ai e drejton nuk është organ që përcakton nëse “është shkelur Kushtetuta (e Serbisë) apo korniza ligjore”, duke thënë se ky organ vepron në përputhje me kompetencat e tij.

Gazeta serbe “Danas”, ka raportuar se disa anëtarë të KRZ-së kishin vërejtje ndaj këtij vendimi, duke thënë se me këtë shkelen ligjet dhe Kushtetuta e Serbisë.

Anëtarët kanë ngritur çështjen se kush do të organizojë transportin deri në qendrat e votimit dhe kush do ta paguajë atë transport, si dhe kush do të garantojë sigurinë e tyre.

E Dimitrijeviq tha se mënyra se si do të organizohet transporti i votuesve nuk është në kompetencë të KQZ’së dhe as nuk mund ta konsiderojë këtë.

Kryetari i KRZ-së ka thënë se ky vendim është rruga e vetme e mundshme ligjore me të cilën votuesit nga Kosova mund ta realizojnë të drejtën e tyre të votës më 3 prill.

Për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike, ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

“Kosova nuk dëshiron t’ia pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi”, në të njëjtën kohë theksoi se “nuk mund të veprohet në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Rreth kësaj deklarate, të pakënaqur u shprehën shtetet e QUINT-it.

Përmes një deklarate të përbashkët, thonë se janë të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT’i./Shqip.com