Kulturë

Ben Blushi: Në Kukës më gjobitën me 300 mijë lekë për shpejtësi! Por në Kosovë i ndodh befasia…

Shkrimtari Ben Blushi thotë në një postim në rrjetet sociale se është gjobitur nga Policia e Kukësit, teksa po udhëtonte në Rrugën e Kombit.

Ai rrëfen se u kap duke udhëtuar me një shpejtësi gati 150 km në orë.

Blushi shkruan se pagoi gjobën prej 30 mijë lekë të reja (300 mijë lekë të vjetra) e më pas u nis drejt Kosovës, por edhe atje është ndaluar pasi ishte me 129 km në orë, ku shpejtësia e lejuar ishte 110.

Sipas tij, atje nuk e gjobitën me para, por e shleu gjobën me 2 libra të tij, të botimit më të fundit “Komploti”.

“Ku ndryshon Shqipëria me Kosovën! Sot shkova në Prishtinë. Kalova Kukësin. Më ndalon policia. Maste shpejtësinë. Me radar. Isha me 144 km në orë. Shpejtësia e lejuar ishte 60 km. Më vunë gjobë. 300 mijë lekë. Të vjetra. Pse kaq shumë? Ne vëmë shumë gjoba. Sa shumë. I vumë dhe atij. Kujt? Baton Haxhiut. Sa i vutë? 40 mijë. Të vjetra. Pse kaq pak? Na erdhi keq. Mora fletën e gjobës. U futa në makinë. Filloi shiu. U nisa. Kalova Prizrenin. Më ndalojnë prapë. Policia e Kosovës. Kishin radar. Isha me 129 km në orë. Lejohej 110. Polici afrohet. Hapa xhamin. Më kërkoi patentën. Ia dhashë. Shkoi te makina e tij. Policja tjetër ishte bjonde. Verifikuan patentën time. U kthye te unë. Më tha. Më jep një libër. Dola nga makina. Hapa bagazhin. Mora dy libra. Romanin “KOMPLOTI”. Nënshkrova dy autografe. Një për policin. Tjetrën për policen. Frynte erë. Rregullova flokët. U nisa. Arrita në Prishtinë. Kisha 300 mijë lekë më pak. Asnjë libër. Mbarova punë. U ula për drekë. Hëngra dy supa. Me perime. Ishin të nxehta. U ktheva. Nuk frynte më erë. Nuk binte shi. Nuk kishte polici. Eca shpejt. Asnjë gjobë. Arrita në Tiranë. Qesha shumë”, shkruan Ben Blushi.

/Shqip.com