Sport Ndërkombëtar

Bellingham barazon rekordin e Ronaldos

Jude Bellingham është shndërruar në personazhin kryesor të Real Madrid në këtë fillim të sezonit. Mesfushori i transferuar nga Borussia Dortmund për më shumë se 100 milionë euro, po përmbush të gjitha pritshmëritë e spanjollëve.

Edhe në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Celta Vigos, “Los Blancos” iu falën golit të britanikut për të marrë tre pikët e radhës. Ishte goli i katërt në tri ndeshje për 20-vjeçarin që barazon kështu një rekord të vendosur më parë nga Cristiano Ronaldo.

Së bashku me portugezin, Bellingham bëhet lojtari i dytë në historinë e Real Madrid që shënon në tre ndeshjet e para me skuadrën kryeqytetase. Interesant është fakti se ashtu si Ronaldo, edhe Bellingham ka shënuar katër gola. Britaniku është kthyer menjëherë në idhull për tifozerinë madrilene dhe aftësitë e tij në zonë, e bëjnë edhe më tërheqës.

Jo më kot, trajneri Carlo Ancelotti u shpreh se është pikërisht Bellingham zëvendësuesi i Benzemas. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Bellingham do t’ia dalë të ruajë këtë vazhdimësi shënimi edhe gjatë kampionatit e për të lënë kështu në hije edhe sulmues si Vinicius apo Rodrygo.

/Shqip.com