Lajme

Bekim Jashari tërhiqet nga politika

Bekim Jashari

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i cili është edhe djalë i heroit Hamëz Jasharit ka njoftuar se nga sot, zyrtarisht ka pushuar aktivitetin e tij politik.

Përmes një reagimi publik, Jashari ka treguar arsyet e se cilat e kanë sjellë deri në marrjen e këtij vendimi.

“Duke kërkuar mirëkuptimin e secilit prej jush, ju njoftoj që kam vendosur që nga sot edhe zyrtarisht të pushoj aktivitetin tim politik në Skenderaj. Këtë vendim e kam marrë në koordinim të plotë me familjen time, për disa arsye: E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë”, shkroi Jashari.

Jashari thotë se nuk ka besuar asnjëherë që ka individ që do të bënin gjithçka vetëm për të marrë pushtet dhe ndikim të pamerituar.

“E dyta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra garës edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të garës fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj. Nuk e kisha besuar që individ të caktuar do të degradonin gjithçka, duke shpifur, shantazhuar, blerë e manipuluar vullnetin qytetar, vetëm e vetëm për të përfituar pushtet dhe ndikim të pamerituar. Pavarësisht gjithë asaj lufte, ishin rreth 10,000 votues që qëndruan të palëkundur dhe para tyre do të jem gjithmonë mirënjohës dhe falënderues”.

Bekim Jashari thotë se prania e tij në politikë nuk mund të vazhdojë duke u bazuar në veprimet që po merren në këtë veprimtari.

“E treta, në këtë situatë aspak të favorshme në të cilën gjendemi si shtet duke u nisur nga formimi i asociacionit, inflacioni, varfëria, papunësia, migrimi i të rinjve e sfida tjera, mbetet imediate nevoja për t’u unifikuar si spektër politik, për të përmbyllur procese e për të zhvilluar shtetin tonë; E katërta, në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë”

Tutje, Jashari ka thënë se opozitën në Skenderaj do të vazhdojnë të bëjnë asamblistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartësin e listës, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim.

/Shqip.com