Sport Shqiptar

Bekaj te skuadra turke, zbulohet edhe paga e tij

Visar Bekaj është duke i kaluar momentet  e fundit me fanellën e Tiranës. Bëhet e ditur që portieri prishtinas tashmë ka firmosur me skuadrën turke Hatayaspor, ekip ky që luajti këtë sezon në elitë, por u tërhoq nga kampionati pas tërmetit.

26- vjeçari është gati të provojë një aventurë të re jashtë vendit, për të treguar kështu aftësitë e tij në mesin e shtyllave.

Në këtë sezon, ai ka shkëlqyer me pritjet e tij, duke i dhënë shpeshherë fitoren skuadrës së drejtuar nga Orges Shehi.

Lojtari do të firmosë një kontratë trevjeçare me turqit. Portieri gjithashtu do të përfitojë një rrogë të majme.

“Panorama Sport” zbulon se bëhet fjalë për 17 mijë euro në muaj. Kampionatin e fundit ka luajtur 42 takime në Superiore, duke qenë në fushën e lojës 3777 minuta, duke mbajtur 15 ndeshje skuadrën të paprekur në Superiore.

Pa asnjë pikë dyshimi është një nga lojtarët më të mirë të Superiores, ndërsa është portieri i padiskutueshëm i këtij kampionati. Lojtari është një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës bardheblu. Ai u transferua nga Prishtina, pasi Tirana i bleu kartonin rreth 100 mijë euro.

/Shqip.com