Sport Shqiptar

Bekaj ka një mesazh për përzgjedhësin Giresse

Visar Bekaj, portieri i Tiranës ka folur për situatën e tij te Përfaqësuesja e Kosovës dhe gjithashtu për Tiranën. Kryeqytetasit momentalisht renditen në pozitën e dytë me 18 pikë në tabelën e Kategorisë Superiore në Shqipëri vetëm 1 pikë larg rivalit të saj, Partizanit.

Me suksesin e sotëm përballë një rivali tjetër që është në formë të mirë, Kukësit, është e qartë se Tirana mendon që sërish të luftojë për titullin e kampionit. Me Bekajn në portë deri më tani ka pësuar vetëm 8 gola duke pasur mbrojtjen e dytë më të fortë në Shqipëri.

I pyetur për periudhën e tij që po kalon tek Tirana, Bekaj u përgjigj: “Do të jetë kampionat i vështirë, por do të jemi mes më të mirëve, tek Tirana kam gjetur profesionalizëm dhe infrastrukturë më të mirë por më shumë ka cilësi kampionati i Kosovës”.

Ndërkohë që me formën e tij të mirë, pyetja që i bëhet më shumë është se a do të ketë hapësirë tek Kosova.

Lidhur me këtë pyetje Bekaj u përgjigj duke thënë:  “Shpresoj të jem pjesë dhe të kem mundësi. Ndonjëherë mërzitem kur trajnerët nuk më dhurojnë mundësinë, por unë duhet të vazhdoj të punoj dhe shpresoj ta arrij qëllimin tim”.

I pyetur se a ka diskutuar me trajnerin e Kosovës Alain Giresse, Bekaj tha se nuk ka komunikuar me të por se do të shohë se çfarë do të vendosë. “Nuk kam pasur bisedë me të, shpresoj ta ketë mirë, por nuk kam ide se si do të veprojë ai”.

“Kosova më ka bërë burrë, është vendi im dhe nuk ja kthej shpinën Kosovës, për Shqipërinë kam shumë respekt por zemra ime rreh për Kosovën”, qartësoi Bekaj.

/Shqip.com