Lajme

Beka: Zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale

Zjarrfikësit / Fotografi ilustruese
Zjarrfikësit / Fotografi ilustruese

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, thotë se miratimi i shtesave të rrezikshmërisë nga Qeveria e Kosovës për shtatë kategori të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është selektiv, pasi që nuk janë përfshirë zjarrfikësit.

Sipas Bekës, ky vendim i Qeverisë së Kosovës nuk është analizuar mirë, derisa thotë që ka qenë vendim shokues.

“Ky vendim i Qeverisë është i paanalizuar mirë, mendoj se nuk është vendim i Komisionit që është themeluar nga Qeveria e Kosovës për arsyeshmërinë e rrezikshmërisë në vendin e punës. Ne kemi dërguar specifikat, arsyet se cilat janë rreziqet e punës për shërbimin e zjarrfikësve në Kosovë. Kemi pritur që do të dalin me vendim, mirëpo sot jemi befasuar kur Qeveria e Kosovës del me vendim për rrezikshmërinë për pjesëtarët ose për Policinë e Kosovës, duke na anashkaluar dhe me të vërtetë ka qenë një vendim shokues. Të gjithë zjarrfikësit e kanë pritur jashtëzakonisht të dëshpëruar, të revoltuar”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve thotë se është për t’u befasuar me neglizhencën e institucioneve karshi shërbimit të zjarrfikësve.

“Ky vendim i Qeverisë vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen, ashtu edhe e përkeqësuar ka qenë, e rënduar në këtë shërbim. Është vërtetë për t’u befasuar me neglizhencën e institucioneve karshi shërbimeve  të zjarrfikësve në Kosovë. Ne kemi pritur që Komisioni do të vendosë, në bazë të rezultateve të analizave do të dalin edhe me arsyen cilit shërbim i takon rrezikshmëria, cilit jo. Mirëpo, kjo nuk ndodhi. Ndodhi me një vendim të Qeverisë”, tha ai.

Tutje, ai tha se zjarrfikësit janë pa përkujdesje institucionale.

“Ne jemi pa përkujdesje institucionale. Jam i bindur që të gjithë e dinë. Nëse nuk është kështu siç themi ne, le të dalin ata me argumente dhe le të thonë që kjo gjendje s’është kështu. Asgjë nuk është bërë”, shtoi ai.

Qeveria i kishte prezantuar më 27 tetor shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë. Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkohë, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria ka thënë se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh. Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj.

Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, përkatësisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë.

Ndërkaq, zjarrfikësit kanë paralajmëruar protestë nëse s’paguhen për rrezikshmëri.

/Shqip.com